Riyaz ul Khaliq
28 Maj 2019•Përditësim: 29 Maj 2019
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se ai i ka vështruar lëshimet e fundit të raketave të Koresë së Veriut "ndryshe" nga Japonia pasi që nuk ka pasur testim bërthamor të Koresë së Veriut në dy vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi kryeministri japonez, Shinzo Abe, tha se presidenti amerikan mbështeti përpjekjet e tij për t’u angazhuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, Trump kërkoi nga ky i fundit që të denuklearizojë vendin.
Agjencia e lajmeve e bazuar në Seul, Yonhap, raportoi se duke u drejtuar në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin japonez, Trump tha se denuklearizimi i Gadishullit Korean do të transformojë "vendin e varfër", duke theksuar më tej se, "Vetëm gjëra të këqija mund të ndodhin me armët e tij bërthamore".
Duke kundërshtuar presidentin amerikan, raporton agjencia japoneze Kyodo, disa momente më vonë Abe u shpreh se lëshimi i raketave balistike me rreze të shkurtra të Koresë së Veriut më 9 maj ishin një "shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit".
"Është një keqardhje e madhe", theksoi ai.
Këshilltari presidencial i sigurisë i SHBA-ve, John Bolton, javën e kaluar në Tokio tha se lëshimi i raketave balistike "pa asnjë dyshim" ishte shkelje e rezolutave të OKB-së.
Megjithatë, Koreja e Veriut kritikoi Bolton-in për komentet e tij duke e quajtur atë "maniak lufte".
Trump aktualisht qëndron për një vizitë shtetërore katër ditore në Japoni, ku u takua me kryeministrin Abe, perandorin e ri japonez Naruhito, si dhe zhvilloi negociata të tregtisë dhe të tjera dypalëshe.
Që nga qershori i vitit 2018, Trump ka realizuar dy takime me Kim, por nuk ka pasur ndonjë hap të qartë drejt denuklearizimit të gadishullit. Pheniani fajëson Washingtonin për ngecjen e bisedimeve midis dy vendeve.
Kur u pyet për lëshimin e raketave të Phenianit, Trump tha se ai e vështronte testimin e fundit të raketave "ndryshe". Ai tha se gjatë bisedimeve të tij me Kim, nuk ka pasur "asnjë test raketor bërthamor dhe me rreze të gjata".
"Më e rëndësishmja, nuk ka pasur teste bërthamore për dy vjet. Shikova grafikën ditën tjetër. Gjatë administratave të kaluara, ka pasur shumë numra që ishin shumë të larta, të tillë si 10, 12 dhe 18, që kishin të bëjnë me lëshimin e raketave dhe testimeve bërthamore. Për dy vitet e fundit, në fund kishte vetëm zero dhe zero. Pra, unë jam shumë i lumtur në mënyrën se si po shkon dhe njerëzit e inteligjencës pajtohen me të", tha Trump.
Trump tha se shpreson që Kim të "shfrytëzojë mundësinë për të transformuar vendin e tij përmes denuklearizimit", duke shtuar se, "Është një vend me potenciale të jashtëzakonshme ekonomike dhe të tjera".
Më vonë në një takim me familjet e shtetasve japonezë të rrëmbyer nga agjentët e Koresë së Veriut në vitet 1970 dhe 1980, Trump u zotua për bashkëpunim me kryeministrin japonez për të siguruar kthimin e tyre.
"Ne do të punojmë së bashku për të kthyer në shtëpi të afërmit tuaj, vajzat tuaja, bijtë tuaj, nënat tuaja", u shpreh Trump në takimin në Tokio.