Dildar Baykan
10 Shtator 2019•Përditësim: 10 Shtator 2019
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka quajtur si "të vdekura" bisedimet e paqes mes Washingtonit dhe talebanëve, të cilat u pezulluan dje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Para nisjes për në shtetin federal të Karolinës së Veriut, Trump në Shtëpinë e Bardhë pas pyetjes së gazetarëve lidhur me pezullimin e bisedimeve me talebanët tha se "Bisedimet kanë vdekur. Përsa i përket shqetësimit tim, bisedimet kanë vdekur".
Ai tha se anuloi takimin kur mësoi në lidhje me sulmet e talebanëve. "Bënë gabim. Ata haptazi dhe me zë të lartë i thonë popullit të tyre se kanë bërë gabim", shtoi Trump.
Ndërsa lidhur me takimin me presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, Trump tha se "Mund të ketë takim. Nuk ka asnjë problem që të takohemi. Irani duhet t'i vendosë punë e tij në udhë sepse ato padyshim janë në një pozitë të keqe".
Komandanti i Forcave Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) gjeneral lejtnant Kenneth McKenzie në një deklaratë për gazetarët ka dhënë sinjalin se ata do të rrisin operacionet kundër talebanëve në Afganistan.
Trump dje deklaroi pezullimin e bisedimeve të paqes që vazhdojnë me talebanët për shkak të sulmit të fundit në Kabul, ku u vra edhe një ushtar amerikan. Ai bëri të ditur edhe anulimin e bisedimeve sekrete që ishin planifikuar të mbaheshin me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani në Camp David me disa udhëheqës talebanë.