Tutku Şenen
28 Maj 2016•Përditësim: 28 Maj 2016
ROMË (AA) – Roja bregdetare italiane në kalimin në Sicili ka nxjerrë nga uji trupat e pajetë të 45 refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për një tragjedi tjetër në Mesdhe ndërsa siç thekson agjencia italiane e lajmeve ANSA, roja bregdetare italiane ka gjetur trupat e pajetë të cilët janë mbytur të premten.
Dhjetëra të tjerë llogariten të zhdukur në fatkeqësinë e tretë vdekjeprurëse që ka ndodhur në Mesdhe në tre ditët e fundit, ndërkohë që pjesëtarët e rojes bregdetare kanë arritur të shpëtojnë nga anija pranë fundosjes 135 refugjatë.
Vetëm gjatë ditës së enjte, në detin Mesdhe janë shpëtuar mijëra refugjatë të cilët synonin vendet e Evropës Perëndimore në kërkim të një sigurie pas ikjes nga luftërat në shtetet amë.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) nga fillimi i këtij viti përmes Mesdheut në evropë kanë hyrë rreth 179 mijë refugjatë.
Rreth 730 kanë humbur jetën ose llogariten për të zhdukur.