Gülşen Topçu
23 Tetor 2017•Përditësim: 23 Tetor 2017
DOHA (AA) - Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se ndien brengë për krizën e Gjirit e cila po vazhdon prej gati pesë muajsh, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë të përbashkët për media në Doha pas takimit me homologun e tij nga Katari Muhamed bin Abdurrahman Al Thani, Tillerson tha se shtetet e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit duhet të përpiqen për të qenë në unitet, duke thënë se janë duke vërejtur efektet e krizës, për të cilën ai tha se ndihen të brengosur.
Në fillim të qershorit, Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti dhe Bahreini shkëputën lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Katarin, duke e akuzuar atë për "mbështetjen e grupeve terroriste në rajon". Këto vende kërkuan nga Katari të plotësojë disa kërkesa, për të cilat Katari ka thënë se janë shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit kombëtar.
Tillerson theksoi se u kanë bërë thirrje të gjitha palëve t'i qasen dialogut për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet. Ai tha se vendi i tij është i gatshëm të mbështesë përpjekjet e Kuvajtit për zgjidhjen e problemeve.
Po ashtu, Tillerson tha se nuk e mbështet referendumin e Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut. "Nuk është koha për referendum, meqë tani luftohet kundër DEASH-it", tha ai.
Nga ana tjetër, Al Thani tha se Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani ka lavdëruar përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e krizës së Gjirit.
Al Thani tha se Emiri i Katarit është i mendimit se "kriza është stërzgjatur dhe ka ndikuar në sfidat e përbashkëta. Ai tha se janë të gatshëm për dialog, mbi themele të cilat do të ishin në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe sovranitetin e shteteve.
Lidhur me referendumin në ARK, Al Thani tha se janë kundër ndërhyrjeve të jashtme në vendet arabe. "Jemi kundër asaj që Irani të ketë ndikim negativ në rajon", tha ai.
Al Thani tha se Katari parapëlqen dialogun me Iranin, duke thënë se edhe shtetet e tjera të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit kanë marrë të njëjtin qëndrim.
Ndryshe, Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson vizitoi Katarin si stacioni i dytë nga pesë vendet që do të vizitojë gjatë turneut të tij, pasi fillimisht vizitoi Arabinë Saudite, ku u takua me Mbretin Selman dhe Ministrin e Jashtëm Adel Al Xhubejr.