Servet Günerigök
17 Shkurt 2021•Përditësim: 17 Shkurt 2021
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se thirrja e parë telefonike e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, me një udhëheqës në Lindjen e Mesme do të jetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një konference për media, zëdhënësja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, nuk dha ndonjë datë të saktë për telefonatën, por theksoi se "do të bëhet së shpejti".
Kjo do të jetë biseda e parë me Izraelin që kur presidenti Biden mori detyrën më 20 janar.
"Izraeli sigurisht se është një aleat. Izraeli është një vend që kemi një marrëdhënie të rëndësishme dhe strategjike të sigurisë. Ekipi ynë është plotësisht i angazhuar duke zhvilluar biseda të vazhdueshme në nivele të ndryshme me izraelitët", tha Psaki.
Javën e kaluar, Psaki tha se presidenti Biden do të flasë me kryeministrin Netanyahu "së shpejti".
Ish-ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara (OKB), Danny Danon, në rrjetet sociale ndau një postim duke i shënuar të gjitha thirrjet e ish-presidentit Donald Trump që kur ai mori presidencën, duke kryer presion për një thirrje telefonike me kryeministrin Netanyahu.
"Joe Biden, ju keni thirrur liderë botërorë nga Kanada, Meksika, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia, Australia, Koreja e Jugut, Rusia", shkroi ish-ambasadori Danon disa orë para se presidenti Biden realizoi një bisedë telefonike me presidentin kinez.
"Ndoshta është koha për të thirrur liderin e Izraelit, aleatin më të afërt të SHBA-së? Numri i kryeministrit është: 972-2-6705555", shtoi ai.
Netanyahu ishte një aleat i ngushtë i ish-presidentit Trump dhe gjatë mandatit 4-vjeçar të Trump-it të dy kanë punuar për të kthyer përmbys shtyllat e mbajtura prej kohësh të zgjidhjes me dy shtete për të arritur paqen me palestinezët.