Ekip
12 Korrik 2019•Përditësim: 15 Korrik 2019
Kryeministri i territorit të Gjibraltarit, Fabian Picardo, ka bërë të ditur se tankeri iranian i naftës, i cili u konfiskua javën e kaluar në Gjibraltar, është “konfirmuar” se ka mbajtur 2.1 milion fuçi naftë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në parlament, Picardo tha se anija po transportonte naftë në Siri dhe u zotua se territori i Gjibraltarit nuk do të përdoret për të shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) apo ato ndërkombëtare.
“Javën e kaluar vepruam sepse kemi pasur baza të arsyeshme për të besuar se kjo anije po ndërmerr veprime në kundërshtim me sanksionet e vendosura të BE-së kundër Sirisë”, tha Picardo, duke shtuar se pas testimeve laboratorike është konfirmuar se ngarkesa ishte me 2.1 milion fuçi naftë të papërpunuar.
Sipas kryeministrit Picardo, ngarkesa tejkalonte kufijtë e hartuar nga BE-ja kur imponoi sanksione ndaj Sirisë dhe në këtë mënyrë duhet të dërgohet në gjykatën më të lartë për shkeljen e këtyre kufizimeve.
“Përderisa sanksionet që zbatohen janë imponuar nga BE-ja, menjëherë pas ndalimit u shkrova presidentit të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Juncker dhe Tusk, duke ekspozuar cilat sanksione të BE-së ne i kemi zbatuar. Këto veprime natyrisht u morën pas një vendimi unanim të kabinetit. Çështja tani është në Gjykatën e Lartë”, tha Picardo.
Dje, pas një hetimi një vjeçar, kapiteni dhe shefi i zyrës së tankerit të konfiskuar u arrestuan nga shërbimet policore në Gjibraltar. Marinsat e marinës mbretërore dhe komandot javën e kaluar u ngjitën në tankerin e naftës së lidhur me Sirinë duke penguar që anija të futet në Mesdhe.
Në të njëjtën ditë me arrestimet, një anije luftarake britanike parandaloi tre anije detare iraniane nga bllokimi i drejtimit të një tankeri britanik që dilte nga Gjiri Persian. Qeveria akuzoi Iranin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi tankeri nuk ishte në ujërat iraniane.
Irani ka kërkuar lirimin e ekuipazhit dhe anijes së saj, si dhe ka kërcënuar Londrën me masa hakmarrëse, një retorikë që po rrit tensionet midis dy vendeve.
Britania tha se Marina Mbretërore “me vendosmëri do të mbrojë interesat detare britanike në Gjirin Persik, por nuk ka interes për të përshkallëzuar situatën”.
BE imponoi një sërë sanksionesh kundër regjimit sirian në përgjigje të goditjes së ashpër të demonstratave paqësore në vitin 2011 dhe luftës civile që pasoi më pas.