Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare
Kohë më parë, OKB-ja shpalli vitin 2019, Vitin Ndërkombëtar të Gjuhëve Autoktone me temën "Çështje për zhvillim, ndërtimin e paqes dhe pajtim"

ANKARA (AA) – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare do të shënohet sot anembanë globit, për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor bashkë me multilingualizmin, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në vitin 1999, UNESCO përmes një rezolute njohu 21 shkurtin si “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare”, duke nderuar kështu demonstratat në Bengali në vitin 1952 (Pakistani i atëhershëm - që më vonë u bë Bangladesh), kundër përdorimit të gjuhës urdu, si gjuha e vetme shtetërore.
Lëvizja “Gjuha Bengalishte” filloi në vitin 1952 dhe pas një beteje të mundimshme, në vitin 1956, qeveria qendrore e Pakistanit të atëhershëm, njohu bengalishten si një nga gjuhët shtetërore.
Në të njëjtën rezolutë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli vitin 2008 si “Viti Ndërkombëtar i Gjuhëve”, me të cilën kishte për qëllim të promovojë unitetin në diversitet si dhe mirëkuptimin midis kombeve përmes multilingualizmit dhe multikulturalizmit.
Kohë më parë, OKB-ja shpalli vitin 2019, Vitin Ndërkombëtar të Gjuhëve Autoktone me temën "Çështje për zhvillim, ndërtimin e paqes dhe pajtim".
Në çdo dy javë shuhet një gjuhë
Të paktën 43 për qind nga gjithsej 6.000 gjuhë të cilat fliten aktualisht janë të rrezikuara, flasin të dhënat e raportit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të titulluar “Atlasi i Gjuhëve Botërore të Rrezikuara”.
Raporti në fjalë, alarmon për shuarjen e gjuhëve.
"Në çdo dy javë, zhduket një gjuhë duke marrë me vete trashëgiminë e tërë kulturore dhe intelektuale”, thuhet në një kumtesë të OKB-së.
Në të thuhet se kur një gjuhë zbehet, njëjtë bën edhe petku i pasur i botës me shumëllojshmëri kulturore.
“Mundësitë, traditat, memorja, mënyrat unike të të menduarit dhe shprehjes dhe burimet e çmuara për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë humben gjithashtu”, thonë Kombet e Bashkuara për të shtuar se afërsisht 40 për qind e popullatës në botë, nuk vijon procesin arsimor në gjuhën amtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.