Abdirahman Ali Mugere
21 qershor 2020•Përditësim: 22 qershor 2020
Ushtria e Somalisë ka neutralizuar 27 pjesëtarë të organizatës terroriste Al-Shabaab në një operacion që ndërmori në rajonin Shabelle e Poshtme në jug të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjenerali Abdihamid Mohamed Dirir nga ushtria e Somalisë në një deklaratë për media bëri të ditur se ushtria ndërmori një operacion kundër organizatës terroriste Al-Shabaab në zonën Dug Garir në rajonin Shabelle e Poshtme.
Dirir tha se në operacion janë neutralizuar 27 pjesëtarë të organizatës terroriste, dy prej të cilëve të nivelit të lartë.
Ai theksoi se janë të vendosur që t'i japin fund organizatës terroriste që dëmton shumë popullin e Somalisë dhe se operacionet në vend do të vazhdojnë ditë e natë.
Ushtria e Somalisë në muajt e fundit ka pastruar nga terroristët disa vendbanime të tilla si Shabelle e Poshtme, Mudug, Bakool dhe Gedo.
Al-Shabaab ka nën pushtim shumë fshatra dhe qyteza në jug të vendit dhe shpeshherë ajo ndërmerr sulme me objektiv punonjësit e sigurisë dhe civilët.