Tayfun Salcı
26 Shkurt 2019•Përditësim: 27 Shkurt 2019
Sipas një sondazhi të realizuar në Britaninë e Madhe, 75 për qind e popullsisë mendojnë se vendi është i ndarë, më pak i besojnë partive politike, ndërsa më së shumti ushtrisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas sondazhit të bërë nga Sky Data në muajin e kaluar me 2.883 persona, 75 për qind e qytetarëve në Britani mendojnë se vendi është i ndarë. Ky numër rritet deri në 81 për qind tek të rinjtë e moshës 25-34.
Ndërkohë, 42 për qind nga pjesëmarrësit në sondazh, treguan se faktori më i madh për ndarjen e vendit është largimi nga Bashkimi Evropian (BE) ndryshe i njohur si Brexit, 23 për qind politikanët, si dhe 14 për qind treguan se janë migrantët.
Institucioni më i besueshëm tek britanikët është ushtria, i ndjekur nga sistemi shëndetësor dhe policia.
Familja mbretërore u rendit e katërta në mesin e renditjes së besueshmërisë.
- Besueshmëria më e ulët ndaj qeverisë
Sipas rezultatit të sondazhit qeveria është më e ulët në besueshmëri, ndjekur nga Partia Konservatore në pushtet, Partia Laburiste në opozitë dhe media. 87 për qind nga pjesëmarrësit në sondazh nuk janë të kënaqur nga politikanët, shifër e cila tek të rinjtë është rritur në 90 për qind.
Sipas sondazhit, 62 për qind e publikut mendojnë se Britania është islamofobike, 51 për qind raciste.
- Brexit para preferencave tjera politike
Nga ana tjetër sipas sondazhit të muajit të kaluar të institutit "Britania në Evropën që ndryshon", preferencat e Brexit në Britani ishin para preferencave tjera të partive politike.
Sipas kësaj 95 për qind e popullsisë në Britani, kanë një preferencë në lidhje me Brexit-in, ndërsa 80 për qind kanë preferenca në lidhje me partitë politike.
Procesi i Brexit-it në këtë vend u shndërrua në një krizë për shkak të balancave në parlament. Qeveria pritet që të shtyjë Brexit-in i cili pritet të ndodhë më 29 mars.
Në referendumin e zhvilluar më 23 qershor 2016, 52 për qind kishin votuar pro Brexit-it.