Şerife Çetin
20 Mars 2019•Përditësim: 20 Mars 2019
Kryenegociatori i Bashkimit Evropian (BE) për Brexit-in, Michel Barnier, lidhur me shtyrjen e Brexit-it tha se "Zgjatja e paqartësisë pa një plan të hapur do të ketë edhe kosto ekonomike edhe politike për BE-në", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për shtyp pas takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së i mbajtur në Bruksel, Barnier tha se refuzimi i ndarjes pa marrëveshje nga parlamenti i Britanisë nuk nënkupton se kjo nuk do të realizohet.
"Të gjithë duhet të bëjnë përgatitjet kundër skenarit të ndarjes pa marrëveshje. BE është e gatshme kundër kësaj mundësie", tha Barnier.
- "Shtyrja e Brexit-it do të jetë me kosto"
Pasi ka rikujtuar se Parlamenti i Britanisë në të njëjtën kohë ka miratuar edhe shtyrjen e Brexit-it, Barnier ka theksuar se në rast se kërkohet një gjë e tillë liderët e 27 vendeve anëtare do të vendosin për këtë.
"A do ta rritë shtyrja, mundësinë e miratimit të marrëveshjes së ndarjes? Apo Britania po kërkon kohë për të punuar mbi deklaratën politike që do të përcaktojë marrëdhëniet në të ardhmen? ka drejtuar pyetjet Barnier i cili ka theksuar se Britania duhet të paraqesë një plan konkret që liderët e BE-së të marrin një vendim në këtë drejtim.
Duhet të sigurohet që pas procesit të shtyrjes "nuk do të ketë kthim në të njëjtën pikë" tha Barnier, duke bërë vlerësimin se "Zgjatja e paqartësisë pa një plan të hapur do të ketë edhe kosto ekonomike edhe politike për BE-në".
Liderët e BE-së do të takohen në Bruksel më 21-22 mars. Pritet që liderët të diskutojnë alternativën e shtyrjes së Brexit-it në rast se Britania e kërkon.
Planifikohet që Britania të ndahet nga BE-ja më 29 mars, procesin e së cilës ajo e nisi zyrtarisht 2 vite më parë.