Jeyhun Aliyev
07 Maj 2021•Përditësim: 07 Maj 2021
Ambasadat e disa vendeve perëndimore shprehën mbështetjen e tyre në një deklaratë të përbashkët të enjten për institucionet libiane për përgatitjen e zgjedhjeve ashtu siç janë planifikuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së rikujtojnë faktin se rezoluta UNSCR 2570 thërret autoritetet dhe institucionet përkatëse libiane, përfshirë Qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe Dhomën e Përfaqësuesve, të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të 24 dhjetorit 2021 dhe të respektojnë bazat kushtetuese dhe ligjore për këto zgjedhje deri më 1 korrik", thuhet në deklaratë.
Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë ranë dakord gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja në Gjenevë të Zvicrës për formimin e një qeverie të përkohshme për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti. Delegatët libianë zgjodhën Mohamed Al-Menfi si kryesues i Këshillit Presidencial me tre anëtarë dhe Abdul Hamid Dbeibeh si kryeministër të ri.
Deklarata e përbashkët nënvizoi gjithashtu se përveç aranzhimit politik dhe të sigurisë, përgatitjet teknike dhe logjistike do të jenë gjithashtu "kritike".
"Ambasadat e lartpërmendura konsiderojnë se tani nuk është koha për ndonjë ndryshim përçarës të organeve përkatëse që mundësojnë që përgatitja të bëhet brenda afateve të përcaktuara sipas rezolutës UNSCR 2570", thuhet në deklaratë.
Libianët shpresojnë se qeveria e re do t'i japë fund luftës civile që ka përfshirë vendin që nga dëbimi dhe vrasja e udhëheqësit disa dekadash Muammar al-Gadafi në vitin 2011.