04 Tetor 2022•Përditësim: 05 Tetor 2022
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, ka deklaruar se lufta në Ukrainë ka qenë një thirrje zgjimi për Gjermaninë, e cila duhet të bëjë gjithçka që mundet për të përmbushur përgjegjësitë e saj të sigurisë në Evropë dhe Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Gjermania nuk e dëgjoi me mjaft vëmendje vlerësimin e duhur për Rusinë. Por ne kemi ndryshuar kursin tonë dhe e kemi bërë të qartë në gjashtë muajt e fundit dhe kemi përcaktuar një strategji të re për Rusinë. Ne dëgjojmë zërat kritik”, tha Baerbock në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Varshavë të Polonisë.
Në fillim të luftës, të cilën Rusia e filloi më 24 shkurt, Gjermania u kritikua për hezitim në ndihmën e saj ushtarake ndaj Ukrainës.
“Koncepti i mbrojtjes së BE-së ka ndryshuar dhe një aleancë më e fuqishme BE-NATO është një shenjë e mirë, por ne duhet të investojmë më shumë në sigurinë tonë. Ne si qeveri e re duhet të përmbushim objektivat tona. Ne si shtete të mirëqenies sociale kemi investuar në shoqëri dhe jo në luftë, siç bëri Rusia. Por tani ne, Gjermania, po investojmë 100 miliardë dollarë për sigurinë tonë. Ne duhet të jemi të aftë të mbrohemi pa mbështetjen e SHBA-së. Gjatë kësaj krize, ne po punojmë për të forcuar mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha shefja e diplomacisë gjermane.
Forumi dyditor në kryeqytetin polak përfundon nesër. Ky forum ka sjellë në një vend politikanë të lartë dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes nga BE-ja dhe SHBA-ja.