Mücahit Oktay
26 Gusht 2020•Përditësim: 26 Gusht 2020
Garda Kombëtare e SHBA-ve do të rrit praninë në qytetin Kenosha në Wisconsin, pasi të shtënat nga policia lanë një afro-amerikan potencialisht të paralizuar dhe shkaktuan trazira në masë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne nuk mund të lejojmë që cikli i racizmit sistematik dhe padrejtësive të vazhdojë. Ne po ashtu nuk mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë të dëmtimit dhe shkatërrimit", shkroi në rrjetet sociale Toni Evers, guvernator i shtetit.
Evers theksoi se po vlerësojnë dëmtimin e pronës shtetërore dhe se do të rrisin praninë e Gardës Kombëtare për të siguruar që individët të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë të sigurt, të mbrojnë ndërtesat shtetërore dhe infrastrukturën kritike, si dhe të mbështesin reaguesit e parë dhe zjarrfikësit.
Duke theksuar se incidentet e mbrëmjes së të hënës vendosën "në rrezik individët, familjet dhe bizneset", Evers theksoi se, "Ne nuk mund ta harrojmë arsyen pse filluan këto protesta dhe ajo që kemi parë të gjatë dy netëve të fundit dhe shumë netëve të tjera këtë vit është dhimbja, ankthi dhe rraskapitja e të qenurit me ngjyrë në shtetin dhe vendin tonë".
Dhjetëra ndërtesa u dëmtuan për shkak të zjarreve që u vunë brenda natës së ditës së hënë.
Guvernatori demokratik u bëri thirrje demonstruesve të protestojnë "në mënyrë të qetë dhe të sigurt", duke apeluar që të mos "lejojnë veprimet e disa prej nesh të na shpërqendrojnë nga puna që duhet bërë së bashku për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi".
Evers shpalli gjendje të jashtëzakonshme, duke theksuar se 250 anëtarë të Gardës Kombëtare do të jenë në terren për të përmbushur nevojat lokale.
Masa vjen pasi Jacob Blake u qëllua në shpinë shtatë herë në një incident që ka shkaktuar zemërim të gjerë dhe e bëri qytetin Kenosha pikën e fundit të luftës së vazhdueshme të SHBA-ve me padrejtësinë raciale dhe të shtënat e policisë ndaj afro-amerikanëve.
"Ata qëlluan djalin tim shtatë herë, shtatë herë, sikur ai nuk kishte rëndësi. Ai është një qenie njerëzore dhe ai ka rëndësi", tha në një konferencë për media babai i afro-amerikanit, duke shtuar se të shtënat ishin "një përpjekje e një vrasjeje të pakuptimtë".
Të shtënat e të dielës ndodhën përderisa policia po reagonte ndaj "një incidenti në familje", tha Departamenti i Policisë që qytetit Kenosha.
Në videon që u shfaq në mediat sociale duket se Blake është qëlluar shumë herë pasi ai hap derën e një makine dhe përpiqet të hyjë brenda.
Ben Crump, një avokat i profilit të lartë i mbajtur nga familja Blake, tha përdersia foli përkrah familjes Blake se do të ishte një "mrekulli" për viktimën të shëtis përsëri pas të shtënave. Ai tha se Blake "në këtë moment" është i paralizuar.
Blake aktualisht po i nënshtrohet operacionit për t'u rikuperuar nga të shtënat.
Crump përfaqëson familjet në disa të shtëna të profilit të lartë të afro-amerikanëve, përfshirë ato të George Floyd dhe Ahmaud Arbery.
Departamenti i Drejtësisë në Wisconsin është duke hetuar të shtënat ndaj Blake dhe oficerët e përfshirë janë vendosur në leje administrative.