Hakan Çopur
29 Mars 2018•Përditësim: 29 Mars 2018
WASHINGTON (AA) – Qeveria e SHBA-ve vlerëson si një zhvillim pozitiv takimin mes presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në konferencën e saj ditore u përgjigj për pyetjet në lidhje me Korenë e Veriut.
Sanders lidhur me takimin mes Xi dhe Kim tha se “Kemi një optimizëm të matur, por takimi i djeshëm (mes Xi dhe Kim) është një tregues i mirë i cili evidenton se qasja e presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut po punon. Atë (Kim-in) e patë për herë të parë jashtë shtetit të tij pasi që u bë lider i Koresë së Veriut. Takimi shihet në horizont, do të vazhdojmë që të çojmë përpara këtë proces”.
Kurse lidhur me takimin i cili pritet të mbahet në muajin maj mes presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe Kim Jong-un-it, Sanders tha se “Kjo është një gjë që ka rëndësi globale dhe duam që të jemi të bindur se kjo është bërë në mënyrë të drejtë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Ashtu siç kemi shprehur edhe më parë, Koreanët e Veriut e dhanë këtë propozim dhe ne e pranuam”.
Lideri i Koresë së Veriut vizitën e tij të parë jashtë shtetit e kishte bërë në Pekin, ku u takua me presidentin Xi.
Më parë ishte bërë të ditur se Trump dhe Kim do të takohen në një vend i cili do të përcaktohet më së voni deri në fund të muajit maj dhe se propozimi për takim ka ardhur nga qeveria e Pyongyang-it.