Kasım İleri
11 Shtator 2021•Përditësim: 12 Shtator 2021
Departamenti i Shtetit të SHBA-së tha se e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur për formimin e qeverisë së re në Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).
"SHBA, duke mirëpritur njoftimin se liderët e Libanit janë dakorduar për formimin e qeverisë së re nën kryesimin e kryeministrit Najib Mikati, shpreson se do të kalohet me shpejtësi në veprim për të diskutuar nevojat emergjente dhe kërkesat legjitime të popullit të Libanit", thuhet në një deklaratë me shkrim nga Departamenti.
Në deklaratë bëhet thirrje që qeveria e re të miratohet sa më parë në mënyrë që parlamenti të punojë mbi reformat konkrete për të zgjidhur situatën ekonomike që përkeqësohet në Liban. "Këtë vit SHBA-ja ka kontribuar me rreth 372 milionë dollarë ndihma humanitare për popullin e Libanit. Jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë e re për punimet e vështira përpara saj", thuhet në deklaratë.
Ish-kryeministri Mikati mori detyrën për formimin e qeverisë në Liban më 26 korrik ndërsa dje ai njoftoi dakordimin me presidentin Michel Aoun për kabinetin qeveritar i cili do të përfaqësojë partitë muslimane dhe të krishtera.