Servet Günerigök
10 Shkurt 2022•Përditësim: 10 Shkurt 2022
Në një bisedë telefonike me mbretin saudit, Salman bin Abdulaziz al-Saud, presidenti i SHBA-së, Joe Biden diskutoi një sërë çështjesh, përfshirë sulmet nga rebelët Huthi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit diskutuan mbi zhvillimet rajonale, çështjet me interes të përbashkët si dhe për çështjet në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
“Presidenti theksoi angazhimin e SHBA-së për të mbështetur Arabinë Saudite në mbrojtjen e popujve dhe territoreve nga këto sulme dhe mbështetjen e plotë për përpjekjet e udhëhequra nga OKB-ja për t'i dhënë fund luftës në Jemen”, thuhet në deklaratë.
Biden ka potencuar angazhimin e tij se Irani nuk do të bëhet kurrë me armë bërthamore dhe e informoi mbretin për negociatat e vazhdueshme shumëpalëshe për rivendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Iranit.
“Të dy liderët ranë dakord që ekipet e tyre do të qëndrojnë të koordinuara ngushtë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.
Ata përsëritën angazhimin e SHBA-së dhe Arabisë Saudite për të garantuar stabilitetin e furnizimeve globale të energjisë.
Rebelët Huthi kanë intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë javëve të fundit, duke thënë se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmeve të koalicionit në Jemen.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka nisur operacionet kundër Huthive që nga viti 2015, një vit pasi rebelët pushtuan pjesën më të madhe të Jemenit, përfshirë Sanën.
Konflikti shtatëvjeçar ka krijuar një nga krizat më të rënda humanitare të shkaktuara nga njeriu, ku afër 80 për qind e vendit ose rreth 30 milionë njerëz, kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 13 milionë njerëz janë në rrezik nga uria.