Hakan Çopur
04 Korrik 2019•Përditësim: 04 Korrik 2019
Jared Kushner, kryekëshilltari i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar se do të hedhin hapa të rinj brenda disa javësh si pjesë e planit të paqes në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Detajet në lidhje me hapat e rinj që do të hedhë Shtëpia e Bardhë janë publikuar në faqen e internetit të lajmeve Axios, e cila publikon në SHBA, si dhe bazohen në telekonferencën e Kushnerit me gazetarët arabë dhe izraelitë.
Sipas lajmit, Kushner i cili në Bahrein ka bërë vlerësime në konferencën e fundit për ekonominë për përfaqëtarët e shtypit arab dhe izraelit ka shprehur keqardhje që administrata palestineze nuk ka marrë pjesë në konferencë.
Ai tha se do t'i bëjnë të ditur hapat e ardhshëm të planit të paqes brenda disa javësh. Kushner rikujtoi se pjesa politike e planit është shtyrë për shkak të zgjedhjeve izraelite.
"Trump e pëlqen personalisht Abbasin"
Kushner e cilësoi mungesën e Palestinës në konferencë si një "gabim strategjik" dhe ka mbrojtur idenë e tij se nga ky proces do të dëmtohen kryesisht vetë palestinezët.
Pasi ka deklaruar se presidenti amerikan Trump personalisht e pëlqen presidentin palestinez Mahmud Abbas, këshilltari Kushner tha se "Dera është gjithmonë e hapur për Autoritetin Palestinez. Nëse ndalojnë të thonë gjëra të çmendura dhe të përfshihen, ata do ta shohin se ka një mundësi. Ne e respektojmë presidentin Abbas, besojmë se ai dëshiron paqe dhe ne duam t'i japim atij mundësinë për ta provuar këtë".
- Organizimi i parë në kuadër të planit të "Marrëveshjes së shekullit"
Konferenca e ekonomisë e udhëhequr nga SHBA-të me titull "Paqja për mirëqenien", e mbajtur më 25-26 qershor në organizim të Bahreinit, erdhi në qendër të vëmendjes si organizimi i parë në kuadër të planit të "Marrëveshjes së shekullit", të cilin SHBA-të pritet ta deklarojnë për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze.
Autoriteti palestinez i cili njoftoi se nuk do të merrte pjesë në konferencë ftoi edhe vendet e rajonit që ta bojkotojnë këtë konferencë. Pavarësisht thirrjes së Palestinës për bojkot, në konferencë krahas Bahreinit, morën pjesë edhe Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Maroku. Teksa zyrtarët izraelitë nuk u ftuan, në këtë konferencë morën pjesë biznesmenë dhe disa gazetarë nga ky vend.