Emre Gürkan Abay
11 Nëntor 2017•Përditësim: 11 Nëntor 2017
MOSKË (AA) – Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-ve Donald Trump konfirmojnë vendosmërinë e tyre për mposhtjen e organizatës terroriste DEASH në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Kremlini thuhet se të dy liderët kanë zhvilluar një takim të shkurtër në qytetin Da Nang të Vietnamit, në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Në deklaratë bëhet e ditur se pas këtij takimi Putin dhe Trump kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët politike, ku të dy liderët kanë konfirmuar vendosmërinë e tyre për mposhtjen e DEASH-it në Siri.
Dy liderët u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të marrin pjesë në mënyrë aktive në takimet e Gjenevës lidhur me krizën në Siri.
“Me deklaratën e nënshkruar, në drejtim të vendimit numër 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, konfirmohet përkushtimi për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë. Të dy liderët kanë rënë dakord se nuk është e mundur të gjendet zgjidhje ushtarake për krizën në Siri me ç'rast janë pajtuar për arriten e një marrëveshjeje për vendosjen e kanaleve të përbashkëta për komunikim për parandalimin e ngjarjeve të rrezikshme në luftën kundër DEASH-it”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, dy liderët u bënë thirrje shteteve anëtare të OKB-së që në periudhën e ardhshme të përforcojnë rritjen e ndihmave humanitare për Sirinë.