Emre Aytekin
27 Mars 2019•Përditësim: 27 Mars 2019
Në SHBA, avioni Boeing 737 Max i kompanisë ajrore Southwest bëri një ulje emergjente pak kohë pasi ishte ngritur në fluturim pa udhëtarë për t’u tërhequr në hangar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Autoriteti i Aviacionit Civil Amerikan (FAA), thuhet se avioni i tipit B737 Max i kompanisë ajrore Southwest Airways pas një problemi në motor ka kryer një ulje emergjente duke u kthyer në aeroportin Orlando në Florida ku ishte nisur për t’u tërhequr në hangarin e kompanisë që ndodhet në qytetin Victorville, në rajonin e Kalifornisë.
Problemi i përjetuar në avion theksohet se nuk është shkaktuar nga problemet e sensorëve dhe gabimeve në softuerë për të cilët dyshohet se kanë shkaktuar aksidentet e avionëve të udhëtarëve B737 Max në Indonezi dhe Etiopi.
FAA pas aksidentit në Etiopi më 10 mars njoftoi se shumë vende më 13 mars kanë vendosur të mbyllin hapësirën e tyre ajrore dhe kanë ndaluar fluturimet për avionët B737 Max. Për avionët B737 Max lejohen vetëm udhëtimet pa udhëtarë për në qendrat e mirëmbajtjes dhe transferimin e tyre nëpër hangarë.
Avioni i tipit Boeing 737 Max 8 i kompanisë ajrore Ethiopian Airlines u rrëzua më 10 mars pak kohë pasi ishte nisur nga Addis Ababa për në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, ku si pasojë humbën jetën 157 personat që ndodheshin në avion.