Vesna Besiç,Lejla Bıogradlıja
01 Gusht 2019•Përditësim: 02 Gusht 2019
Ka filluar aktiviteti "Mbrojtja e Bosnjë e Hercegovinës - Igman 2019", për shënimin e 26-vjetorit të parandalimit të operacionit të njësive serbe në Malin Igman në afërsi të kryeqytetit, Sarajevë, dhe mbrojtjen e malit gjatë luftës në BeH në periudhën 1992-1995, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e parë të aktivitetit për të cilin AA është Partner Global i Komunikimit, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në varrezat e dëshmorëve në Kovaçi.
Anëtari i Këshillit Presidencial të BeH-së, Shefik Xhaferoviç, në fjalimin e tij theksoi se mbrojtja e Malit Igman ka një rëndësi në çlirimin e Sarajevës, duke treguar se është parandaluar arritja e njësive serbe me luftën heroike të ushtarëve boshnjakë.
Ai tha se dëshmorët që humbën jetën për një Bosnjë e Hercegovinë të pavarur asnjëherë nuk do të harrohen. "Njësitë e armatosura serbe edhe pse dëshironin të thyejnë boshtin kurrizor të mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës në Igman, u thyen dhëmbët e tyre dhe ushtria e BeH-së tregoi forcën e saj", u shpreh ai.

Ministri i Federatës së BeH-së për Çështje të Invalidëve të Luftës, Salko Bukvareviç, tha se sot edhe një herë janë mbledhur për të përkujtuar dëshmorët. "Nëse nuk do të ishin dëshmorët tanë nuk do të ishim as ne. Nuk do t'i harrojmë ata që luftuan duke sakrifikuar edhe jetën e tyre për sovranitetin, pavarësinë dhe unitetin e Bosnjë e Hercegovinës", tha ai.
Në ceremoni mori pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Presidencial të BeH-së, Zheljko Komshiç.

"Mbrojtja e Bosnjë e Hercegovinës - Igman 2019" e cila organizohet për herë të 19-të këtë vit, zhvillohet për të përkujtur dëshmorët dhe mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës. Aktiviteti qendror do të zhvillohet nesër në xhaminë që është ndërtuar gjatë viteve të luftës në Malin Igman.
Rëndësia e Malit Igman
Njësitë serbe nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, në gusht të vitit 1993 zhvilluan një operacion në Malin Igman, me synimin për të hyrë në Sarajevë ku do të bashkoheshin me njësitë serbe në anën tjetër të qytetit.
Mbrojtja e Igmanit njihet si një ndër pikat e kthesës së luftës që u zhvillua në vitet e 1990-ta në BeH ku pala fituese ishte ushtria e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës ndërsa ushtarët serbë u zbrapsën.