Talha Yavuz
24 Gusht 2021•Përditësim: 25 Gusht 2021
Pjesëmarrësit e Samitit inaugurues të Platformës së Krimesë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, të hënën riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në samit, sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që mbështesin Ukrainën ndërsa shënon 30-vjetorin e pavarësisë së saj.
Duke theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë të sanksionojë Rusinë për sa kohë që ajo nuk ndërpret agresionin e saj në rajonet Donbas dhe Krime, ajo tha: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Platformën e Krimesë, duke i qëndruar besnike qëndrimit tonë të kamotshëm se Krimea është Ukrainë dhe do të jetë gjithmonë Ukrainë, dhe se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për agresionin e saj".
Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Energjisë, Peter Altmaier, përsëriti se Gjermania është kundër aneksimit të Krimesë, i cili është kundër ligjit ndërkombëtar.
"Sot, së bashku me Ukrainën, ne dënojmë aneksimin dhe bëjmë thirrje për rinisjen e negociatave", tha ai.
Presidentja moldave, Maia Sandu, theksoi se ajo po merr pjesë në samit për të treguar mbështetjen e vendit të saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, të cilat njihen nga bashkësia ndërkombëtare.
“Aneksimi ilegal i Krimesë është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Moldavia ka qenë dhe do të jetë një partner sigurie në Ukrainë", theksoi ajo.
Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë në shkurt 2014, ku Presidenti Vladimir Putin zyrtarisht e ndau rajonin në dy subjekte të veçanta federale të Federatës Ruse muajin tjetër.
Turqia dhe SHBA-ja si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shohin aneksimin si të paligjshëm.
Luftimet midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në Donbas kanë shkaktuar më shumë se 13.000 të vrarë që nga viti 2014, sipas OKB-së.
Ky rajon është një nga burimet e shumta të mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe Ukrainës.