Kaan Bozdoğan
09 Shtator 2023•Përditësim: 09 Shtator 2023
Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, u takua me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, në të cilin ndodhet në kuadër të Samitit të 18-të të Liderëve të G20, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan u takua me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva pas sesionit të mbajtur me temën "Një Tokë, një Familje, një të Ardhme" në Qendrën Ndërkombëtare të Panaireve dhe Kongreseve "Bharat Mandapam".
Në takimin e mbajtur me dyer të mbyllura për mediat u diskutuan hapat që mund të ndërmerren për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Türkiye-Brazil, si dhe u shkëmbyen mendime rreth çështjeve rajonale dhe globale që janë në interesin e dy vendeve të mëdha anëtare të G20.
Në takim Erdoğan i uroi që tani Brazilit suksese për presidencën e radhës të G20 të cilin do ta marrë vitin e ardhshëm dhe theksoi se vëllimi tregtar i cili vitin e kaluar ishte 5.6 miliardë dollarë mund të rritet në 10 miliardë dollarë me përpjekje të përbashkëta.
Gjatë takimit presidenti Erdoğan u shoqërua edhe nga ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ministri i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, kreu i Inteligjencës turke MIT, İbrahim Kalın, kreu i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, sekretari i Presidencës, Hasan Doğan dhe kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç.