Elena Teslova
06 Tetor 2021•Përditësim: 06 Tetor 2021
Në Rusi numri i vdekjeve si pasojë e COVID-19 arriti rekord për të dytën ditë radhazi, me 929 viktima gjatë ditës së fundit, duke e çuar numrin e viktimave në 212.625, theksuan sot autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i infeksioneve të reja mbeti gjithashtu i lartë, 25.133 persona rezultuan pozitivë në COVID-19 që nga e marta, duke e çuar numrin e rasteve në 7.6 milionë, tha Taks Forca emergjente mbi koronavirusin në Rusi në një raport të përditshëm.
Ndërkohë, 19.841 persona u shëruan nga virusi gjatë 24 orëve të fundit, duke e shënuar totalin në 6.7 milionë, thuhet në raport.
"Situata me pandeminë e koronavirusit në Rusi është përkeqësuar pas ftohjes së motit, morbiditeti po rritet në shumicën e rajoneve ruse dhe qeveria pret që morbiditeti të rritet së shpejti në 30 mijë raste ditore", tha zëvendëskryeministrja Tatyana Golikova në mbledhjen e qeverisë të martën.
Ajo tha se 42.2 milionë njerëz kanë përfunduar vaksinimin kundër COVID-19 në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ritmi i vaksinimit në Rusi lë për të dëshiruar, duke fajësuar "një fushatë jo mjaft aktive për të shpjeguar mungesën e alternativave të vaksinimit" për mosgatishmërinë e njerëzve për të marrë vaksinën.
Ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko theksoi efikasitetin e vaksinimit, duke thënë se vetëm 2 për qind e personave të vaksinuar infektohen me COVID-19. Ai paralajmëroi se sezoni i ardhshëm i gripit në Rusi do të jetë i vështirë.
Ekspertët rusë theksuan se situata pandemike është duke u përmirësuar në të gjithë botën, por situata epidemiologjike në Rusi sot "nuk është e favorshme".