Rusia: Shpresojmë përparim në çështjen e Ukrainës në samitin e planifikuar në Budapest
"Në samit shpresojmë të arrijmë përparim në procesin për zgjidhje paqësore të çështjes së Ukrainës", theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se po vazhdojnë kontaktet me SHBA-në për Ukrainën, duke theksuar se shpresojnë të arrijmë përparim në procesin për zgjidhje paqësore të çështjes së Ukrainës në samitin në Budapest, transmeton Anadolu.
Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Moskë lidhur me çështje të ndryshme në rendin e ditës.
Duke folur për samitin e planifikuar midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë, Peskov tha se detajet e takimit nuk janë përcaktuar ende.
Në samitin e planifikuar do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në dhe çështja e Ukrainës, tha Peskov.
"Në samit shpresojmë të arrijmë përparim në procesin për zgjidhje paqësore të çështjes së Ukrainës", theksoi zëdhënësi i Kremlinit.
Duke vënë në dukje se ata po punojnë intensivisht me SHBA-në për çështjen e Ukrainës, Peskov deklaroi se "Ne vazhdojmë të komunikojmë me amerikanët për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës dhe janë duke vazhduar punime intensive".
Peskov iu përgjigj akuzave të paraqitura në shtypin ndërkombëtar se Putin dhe Trump diskutuan një shkëmbim territoresh me Ukrainën në bisedën telefonike, duke theksuar se "Ne kemi dhënë të gjithë informacionin që donim të jepnim në lidhje me këtë telefonatë. Nuk kemi asgjë tjetër për të thënë".
Duke folur për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit, Peskov tha: "Ne jemi të gatshëm të zgjerojmë bashkëpunimin me Iranin në të gjitha fushat. Irani është partneri ynë dhe marrëdhëniet tona po zhvillohen në mënyrë shumë dinamike. Ne besojmë se palët duhet të negociojnë rreth programit bërthamor të Iranit. Sigurisht, nuk ka asnjë arsye të vlefshme për të ushtruar një presion kaq të tepruar për këtë çështje mbi Iranin, i cili është një vend sovran".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.