Rusia shet për herë të parë avionë luftarakë Su-57
"Klienti dhe partneri ynë i huaj tashmë ka marrë dy avionët e parë. Ata kanë filluar misionin luftarak dhe po demonstrojnë cilësitë e tyre më të mira", tha Badekha
Moskë
Rusia ka shitur për herë të parë avionë luftarakë Su-57, të gjeneratës së pestë, transmeton Anadolu.
Drejtori i Përgjithshëm i "United Aircraft Corporation" (UAC) prodhuesit të Su-57, Vadim Badekha foli për kanalin shtetëror rus "Pyerviy Kanal".
"Rusia ka eksportuar Su-57. Klienti dhe partneri ynë i huaj tashmë ka marrë dy avionët e parë. Ata kanë filluar misionin luftarak dhe po demonstrojnë cilësitë e tyre më të mira. Klienti ynë është i kënaqur", tha Badekha.
Ai nuk ndau detaje rreth vendit që bleu avionët Su-57. Në disa lajme në mediat ruse janë paraqitur informacione se vendi në fjalë mund të jetë Algjeria.
I zhvilluar si një avion luftarak i gjeneratës së pestë për Forcën Ajrore Ruse, Su-57 dallohet për rrezen e tij të fluturimit, shpejtësinë dhe manovrueshmërinë.
Su-57 ka karakteristika të tilla si fluturimi supersonik i pa përforcim, ngritje dhe ulje në distancë të shkurtër, teknologjitë e padukshmërisë së radarit (fantazmë), sisteme armësh në ndarje të mbyllura dhe manovrueshmëri superiore.
