Emre Gürkan Abay,Ali Cura
14 Tetor 2020•Përditësim: 15 Tetor 2020
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi se vendi i tij ka konfirmuar vaksinën e dytë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Putin, në mbledhjen e mbajtur me zyrtarët nëpërmjet video-konferencës, dha deklarata lidhur me punimet për vaksinë kundër COVID-19 në vendin e tij.
Ai tha se sot kanë marrë "një lajm të gëzueshëm" në punimet e vaksinës të Rusisë.
"Në Qendrën e Hulumtimeve Vektor në Novosibirsk, sot është regjistruar vaksina 'EpiVakKorona' e zhvilluar kundër COVID-19", u shpreh ai.
Vaksina e parë ruse kundër COVID-19 e zhvilluar nga Instituti i Hulumtimeve Gamaleya në Rusi ishte regjistruar më 11 gusht.
Rusia rrit fluturimet ndërkombëtare
Ndërkohë, Rusia ka rifilluar disa fluturime ndërkombëtare që i kishte anuluar për shkak të pandemisë COVID-19.
Me vendimin e kryeministrit Mikhail Mishustin, Rusia reciprokisht ka rifilluar fluturimet me Serbinë, Kubën dhe Japoninë.
Gjithashtu reciprokisht është rritur numri i fluturimeve me Bjellorusinë, Zvicrën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maldivet.