Bota

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupat e ushtarëve të rënë

Rusia dhe Ukraina njoftuan sot se në kuadër të marrëveshjeve të arritura më parë në Stamboll, kanë përfunduar një shkëmbim tjetër të trupave të ushtarëve të rënë

Elena Teslova  | 29.01.2026 - Përdıtësım : 29.01.2026
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupat e ushtarëve të rënë

Moskë

Rusia dhe Ukraina njoftuan sot se në kuadër të marrëveshjeve të arritura më parë në Stamboll, kanë përfunduar një shkëmbim tjetër të trupave të ushtarëve të rënë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në Telegram, ndihmësi i presidentit rus Vladimir Medinsky tha se 1.000 trupa të ushtarëve të vrarë u kthyen në Ukrainë ndërsa 38 u morën në këmbim.

"Brenda kuadrit të marrëveshjeve të Stambollit, trupat e 1.000 ushtarëve të vrarë ukrainas janë transferuar në Ukrainë. Ndërsa trupat e 38 ushtarëve të vrarë rusë janë transferuar në Rusi", tha ai.

Në një deklaratë, Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës njoftoi shkëmbimin duke thënë se ka marrë trupat e 1.000 ushtarakëve të saj.

"Sot u zhvilluan ngjarje riatdhesimi si pjesë e të cilave një mijë trupa u kthyen në Ukrainë", tha shtabi në Telegram.

Më 30 dhjetor, zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Galuzin tha se rreth 2.300 ushtarakë rusë dhe rreth 170 civilë u kthyen nga Ukraina këtë vit sipas marrëveshjeve për të burgosurit e luftës të arritura në Stamboll.

Galuzin përmendi shkëmbimin e trupave të ushtarëve të rënë, duke pretenduar se Rusia i ka transferuar palës ukrainase rreth 12 mijë trupa dhe ka marrë rreth 200 nga Ukraina vitin e kaluar.

Shkëmbimi i fundit i këtij lloji u zhvillua më 19 dhjetor të vitit të kaluar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.