Dmitri Chirciu
04 Maj 2020•Përditësim: 05 Maj 2020
Në Rusi arrin në 1.356 numri i vdekjeve dhe në 145.268 numri i rasteve me koronavirusin i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Infeksionit të Koronavirusit në Rusi, në një deklaratë njoftoi se me 10.581 raste të reja të regjistruara në 24 orët e fundit ka arritur në gjithsej 145.268 numri i rasteve.
Në deklaratë thuhet se me 76 vdekje të reja ka arritur në 1.356 numri i vdekjeve nga COVID-19, ndërkohë që me shërimin e 1.456 të sëmurëve me virusin ka arritur në 18.095 numri gjithsej i personave të shëruar.
Norma e rritjes së rasteve ditore është 7.9 për qind thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se tek 50.6 për qind e rasteve të reja nuk ka shenja të sëmundjes.
- Në Moskë tejkalon 74 mijë numri i rasteve
Në kryeqytetin Moskë ku ndikimi i virusit është ndjerë më shumë, thuhet se me 5.794 raste të reja ka arritur në 74.401 numri gjithsej i rasteve dhe se norma e rritjes së rasteve ditore në qytet është në 8.4 për qind.
Shërbimi i Mbrojtjes së Shëndetit të Njeriut dhe të Drejtave të Konsumatorit të Rusisë, njoftoi se në 24 orët e fundit janë kryer 183 mijë teste duke e rritur në 4.300.000 numrin gjithsej të testeve dhe se deri më tani janë nën mbikëqyrje 217 mijë njerëz.
- Mbi 3 mijë raste në ushtrinë ruse dhe shkollat ushtarake
Sipas një deklarate nga Ministria ruse e Mbrojtjes, në ushtrinë ruse janë regjistruar 77 raste të reja duke e rritur në 1.254 numrin e përgjithshëm.
Po ashtu krahas 332 civilëve në ushtri, virusi është vërejtur edhe tek 1.437 persona në shkollat e lidhura me ministrinë, ndërkohë që theksohet se gjithsej 187 të sëmurë janë shëruar.
- Rastet e para u konfirmuan më 31 janar
Rasti i parë i COVID-19 në Rusi u vërejt me 31 janar tek 2 shtetas kinezë në rajonet Transbaikal në jug të Tyumen dhe Siberisë.
Ndërsa rasti i parë i vdekjes me burim COVID-19 u regjistrua me humbjen e jetës së një gruaje të moshës 79 vjeçare në Moskë.
Rusia mbylli kufijtë e saj që nga fundi i marsit dhe me rritjen e pandemisë ajo kaloi në "situatën e përgatitjes së lartë".
Veçanërisht në Moskë dhe në disa pjesë të vendit u zbatua ndalesa e daljes në rrugë dhe me përjashtim të marketeve dhe farmacive u mbyllën të gjitha dyqanet, qendrat e argëtimit, shëndetit dhe sportit, restorantet, baret, muzetë, kinematë dhe teatrot.
Gjithashtu në kuadrin e luftës kundër pandemisë, në Rusi u anuluan edhe ceremonitë dhe aktivitetet për 9 majin, Festën e Fitores, si dhe lejet administrative që filluan më 30 mars për punonjësit u zgjatën deri më 11 maj.
Përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin, me koronavirus u infektuan edhe ministri i Ndërtimit, Vladimir Yakushev, zëvendësi i tij, Dmitriy Volkov dhe disa deputetë në Dhomën e Ulët Duma të parlamentit rus.