Robotë humanoidë me inteligjencë artificiale zhvillojnë ndeshjen e parë të futbollit në Kinë
Çdo ekip kishte dy sulmues, dy mbrojtës dhe një portier. Robotët u pozicionuan vetë në nisje të lojës dhe më pas filluan ndërhyrjet, pasimet dhe gjuajtjet pa asnjë kontroll njerëzor

Stamboll
Robotë humanoidë të pajisur me inteligjencë artificiale zhvilluan ndeshjen e parë në botë të futbollit 5 kundër 5 plotësisht autonome gjatë fazës paraprake të Lojërave Botërore të Robotëve Humanoidë në Pekin, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja shtetërore Global Times, ngjarjet e mëparshme ishin të kufizuara në ndeshje 3 kundër 3. Në formatin e ri, çdo ekip kishte dy sulmues, dy mbrojtës dhe një portier. Robotët u pozicionuan vetë në nisje të lojës dhe më pas filluan ndërhyrjet, pasimet dhe gjuajtjet pa asnjë kontroll njerëzor.
Disa prej tyre u rrëzuan gjatë përplasjes, por u ngritën shpejt dhe vazhduan lojën. Turma brohoriste për çdo gol. Ndeshja zgjati 40 minuta, e ndarë në dy pjesë nga 15 minuta me një pushim prej 10 minutash.
Rregullorja e garës ka gati 70 faqe. Ndërsa i ngjan futbollit njerëzor, ajo lejon më shumë kontakt fizik dhe përfshin përshtatje të veçanta për robotët. Për shembull, pas një goditjeje të lirë, kundërshtarët duhet të presin 10 sekonda përpara se të sfidojnë, për t’i dhënë kohë inteligjencës artificiale të zbatojë skemën e lojës.
Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë nisin në Pekin dhe do të zgjasin tre ditë, duke përfshirë mbi 500 robotë nga 280 ekipe që përfaqësojnë 16 vende. Në total janë planifikuar 538 aktivitete në 26 disiplina sportive, përfshirë futbollin, atletikën dhe gjimnastikën.
Këto lojëra pasojnë ndeshjen e parë të futbollit me robotë humanoidë me inteligjencë artificiale në Kinë, të zhvilluar më 27 qershor në Pekin, e cila përfshinte ekipe 3 kundër 3.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.