Adham Kako,Muhammed Yusuf
21 Janar 2020•Përditësim: 22 Janar 2020
Kreu i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Siri, Raed Saleh tha se regjimi i Assadit po përpiqet të marrë nën kontroll Idlibin duke e evakuuar atë dhe se askush nuk dëgjon zërin e atyre që vriten në Idlib nga bombat e avionëve.
Në deklaratën për Anadolu Agency (AA), Raed ka folur lidhur me shkeljet e armëpushimit dhe sulmet e ndërmarra në Idlib nga regjimi i Bashar al-Asadit, grupet e huaja terroriste me mbështetje iraniane dhe ato të Rusisë.
"Regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij vazhdojnë sulmet e tyre ndaj vendbanimeve në Idlib. Duket se armëpushimi në Idlib ka rënë. Armëpushimi ishte relativisht i mirë. Të zhvendosurit mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por regjimi dhe Rusia nuk i janë përmbajtur sërish armëpushimit", tha Saleh.
Ai theksoi se në sulme kanë humbur jetën shumë civilë. "Regjimi i Asadit po përpiqet të marrë nën kontroll Idlibin duke e evakuuar atë dhe se askush nuk dëgjon zërin e atyre që vriten në Idlib nga bombat e avionëve", shtoi Saleh.
Pasi tërhoqi vëmendjen se regjimi dhe mbështetësit e tij kanë bërë që 350 mijë civilë të migrojnë nga rajoni Maarat al-Numaan në jug të Idlibit dhe zonat përreth tij, Saleh tha se "Sot po flasim për rajonin Maarat al-Numaan dhe pjesën periferike rreth tij. Por, edhe më parë banorët nga rajonet Khan Shaykhun, nga periferia veriore e Hamas dhe rajoneve të tjera janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Në Idlib që nga muaji prill 2019 e deri më tani shtëpitë e tyre i kanë braktisur më shumë se 1 milion civilë".
- Thirrje për ndihma humanitare
Sipas tij, në rast të vazhdimit të sulmeve të regjimit dhe mbështetësve të tij, fatkeqësia humanitare në Idlib është e pashmangshme. "Popullata e rajonit e ka humbur shpresën. Tashmë familjet as nuk mund ta imagjinojnë kthimin në shtëpi. Ndihmat humanitare janë pakësuar. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen në rajon", tha Saleh.
Ai thotë se institucionet që vazhdojnë aktivitetet e ndihmave humanitare në rajon kanë vështirësi të përballojnë nevojën e popullatës ndërsa qindra mijëra njerëz që kanë migruar në rajon kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare.
- "Ne jemi dëshmitarët e parë për krimet që ka kryer Rusia dhe regjimi"
Saleh në lidhje me shënjestrimin e punonjësve vullnetarë në Siri tha se "Nuk ka asnjë mekanizëm për mbrojtjen e punonjësve vullnetarë në Siri. Në çdo vend të botës ka një mënyrë që ambulancat të mos vihen në shenjestër. Por, ne ndërtojmë spitale nën male si dhe kamuflojmë ambulancat që të mos goditemi".
Ai tha se detyra e ekipeve të Mbrojtjes Civile është vetëm të shpëtojnë njerëzit. "Ne nuk ndodhemi vetëm në objektivin e sulmeve por edhe në atë të medias. Ne jemi dëshmitarët e parë për krimet që ka kryer Rusia dhe regjimi. Për këtë arsye vendoset në objektiv besueshmëria jonë", tha Saleh.
- Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.
Sulmet e tyre vazhduan edhe pak kohë pas marrëveshjes e cila u nënshkrua mes Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator 2018 në qytetin Soçi të Rusisë. Sulmet e Rusisë, regjimit dhe terroristëve me mbështetje iraniane të cilat kishin në objektiv rajonin e deeskalimit në Idlib, që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani shkaktuan zhvendosjen e rreth 1,3 milionë civilëve në zonat pranë kufirit me Turqinë. Ndërkohë që në bombardimet e kryera thuhet se kanë humbur jetën mbi 1.600 civilë.