Betül Yürük
11 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
BETÜL YÜRÜK
Ekspertët e Komitetit të Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) deklaruan se embargoja ndërkombëtare e armëve për Libinë ishte joefektive dhe është "injoruar plotësisht" nga vendet që mbështesnin palët e luftës.
Anadolu Agency (AA) ka siguruar detajet e raportit të përgatitur nga ekspertë të pavarur të komitetit të sanksioneve dhe të ndarë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por ende të papublikuar.
Embargoja e armëve për Libinë është "injoruar plotësisht në mënyrë të qartë", thekson raporti, në të cilin Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Jordania, Katari dhe Turqia janë akuzuar për shkeljen e embargos.
Rusia rrit mbështetjen për mercenarët rusë në Libi
Raporti thekson Rusia rriti mbështetjen e saj logjistike ushtarake për kompaninë ruse të sigurisë Wagner "në mënyrë të konsiderueshme" në mbështetje të Khalifa Haftarit, udhëheqësit të forcave të paligjshme të armatosura në Libi, duke shtuar se numri i mercenarëve të Wagner-it u rrit ndjeshëm midis janarit dhe korrikut dhe dhe se këta mercenarë në korrik janë vendosur në bazat ajrore Jufra, Gardabiya, Brak, Sabha dhe Veddan.
Në raportin e tij të mëparshëm, paneli i OKB-së raportoi se kishte rreth 1.200 mercenarë rusë të grupit Wagner në Libi.
Rritje e fluturimeve të dyshimta nga EBA
Në raport thuhet se "fluturimet e dyshimta" u rritën nga EBA, Eritrea, Jordania dhe Siria drejt rajoneve nën kontrollin e Haftarit në lindje të Libisë dhe aeroportet në perëndim të Egjiptit dhe se zinxhiri i furnizimit me armë është siguruar përmes kësaj "ure ajrore".
Në raport, i cili thotë se Jordania siguroi trajnim për forcat e Haftarit në maj të vitit 2018, theksohet se ekspertët e OKB-së gjithashtu kanë identifikuar tri kompani që ofrojnë mbështetje ushtarake private ose siguri në Libi.
Raporti pohon se nga Turqia që nga maji është krijuar një “urë ajrore” me avionë ushtarakë ngarkesash drejt Libisë perëndimore, duke shtuar se edhe nga Katari janë realizuar disa fluturime me avionë ushtarakë ngarkesash drejt bazave në perëndim të vendit.
Kazakistani, Ukraina dhe Taxhikistani janë akuzuar për mosrespektim të embargos së armëve duke mos kontrolluar fluturimet e dyshuara për bartjen e armëve për forcat e Haftarit.
Libia është përfshirë nga një krizë legjitimiteti për shkak të luftës civile që ka vazhduar që nga vrasja e udhëheqësit të rrëzuar Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Vendi është bërë skenë e përleshjeve të dhunshme midis forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe militantëve besnikë të Haftarit, udhëheqësit të forcave të paligjshme.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur një embargo armësh mbi Libinë që nga viti 2011.
Rusia, EBA dhe Egjipti njihen si mbështetësit më të mëdhenj të udhëheqësit të forcave jolegjitime Khalifa Haftar, ndërsa Turqia ndodhet pranë qeverisë libiane të njohur nga OKB-ja.