Ekip
25 Prill 2018•Përditësim: 25 Prill 2018
RABAT (AA) - Kryetari i Parlamentit të Libisë me seli në Tobruk, deklaroi se pret formimin e qeverisë së unitetit më së voni në fund të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
"Pres që deri në fund të këtij viti, të zgjidhen problemet në Libi dhe të formohet një qeveri e unitetit", tha Aqila Saleh, në një prononcim në aeroportin në Rabat të Marokut, ku qëndroi për një vizitë zyrtare.
Ai tha se i ka kërkuar Rabatit zyrtar të nxitë palët në Libi, përfshirë të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për atë vend, Ghassan Salame, të përshpejtojnë zgjidhjen e problemit në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
"Maroku do të ketë një rol kryesues në çështjen e negociatave për dalje nga kriza libiane”, tha ai, duke përshkruar vizitën në Marok si tejet të suksesshme.
Shtatorin e kaluar, Salame prezantoi planin e propozuar për dalje nga kriza politike, i cili mes tjerash bën thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare brenda një viti.
Plani synon krijimin e një qeverie "të unifikuar dhe përfaqësuese", brenda kornizës së marrëveshjes politike nga viti 2015.