Ekip
14 Korrik 2021•Përditësim: 14 Korrik 2021
Stuhitë shkaktuan përmbytje në të gjithë Gjermaninë qendrore gjatë natës ndërsa autoritetet paralajmëruan se priten edhe më tej reshje të dendura shiu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zjarrfikësit në qytetin perëndimor Hagen thanë sot se ndërhynë për të shpëtuar disa shoferë automjetesh të cilët ishin bllokuar në një nënkalim të përmbytur. Videot në mediat sociale treguan rrugë të mbushura me ujë dhe të tjera të mbuluara nga rrëshqitjet e tokës. Nuk ka raportime të menjëhershme për të lënduar.
Qarku Hof pranë kufirit lindor me Çekinë lëshoi alarm për katastrofë dje vonë pasi bodrumet u mbushën me ujë, pemët u shkulën dhe disa zona mbetën pa energji elektrike. Shërbimi i motit DWD i Gjermanisë tha se rajoni regjistroi 80 litra shi për metër katror.
Meteorologët parashikuan "stuhi ekstreme" të mëtejshme në pjesët perëndimore dhe qendrore të Gjermanisë deri të enjten, ku pika më e lartë e reshjeve mund të arrijnë 200 litra për metër katror.