Hasan Esen
31 Janar 2017•Përditësim: 31 Janar 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar sot se përleshjet në Ukrainë, janë shkelje e hapur e armëpushimit dhe se duhet të ndalojnë sa më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga zyra e Komisionit të BE-së, thuhet se konfliktet e armatosura në Avdeyevka dhe në rrethinat e tij ditët e fundit, si dhe përdorimi i artilerisë së rëndë dhe bombardimeve atje, janë bërë shkas për humbjen e jetëve të njerëzve. Duke u cilësuar si një shkelje e hapur e marrëveshjes së Minskut, në deklaratë thuhet se ato janë kërcënim për qytetarët e zonës.
Duke theksuar se konflikti ka bërë që të ketë probleme në shërbimet ndaj qytetarëve në zonë, në vijim të deklaratës theksohet: "Bëjmë thirrje që konflikti i armatosur të ndalojë menjëherë. Kjo do të çojë në rregullimin e infrastrukturës së dëmtuar. Respektimi i plotë i armëpushimit është një hap shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e problemit në mënyrë paqësore në kuadër të marrëveshjes së Minskut e cila ruan tërësinë territoriale të Ukrainës."
Mes forcave ushtarake ukrainase dhe separatistëve pro rusë, që prej vitit 2014 vazhdon një konflikt i armatosur. Gjatë ditëve të fundit në rajonin lindor të Ukrainës të paktën 3 ushtarë ukrainas humbën jetën dhe 24 të tjerë janë plagosur. Ndërsa thuhet se të paktën 10 separatistë kanë vdekur dhe 25 të tjerë janë plagosur.