Elena Teslova
07 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, më 11 janar në Moskë për të biseduar rreth krizës në Lindjen e Mesme, njoftoi Kremlin të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).
Merkel do të zhvillojë një vizitë pune në Rusi me ftesë të Putinit për të diskutuar mbi përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme pas sulmit me dron amerikanë në Irak të premten në të cilën u vra komandanti i lartë ushtarak iranian, Qassem Soleimani, bëri të ditur shërbimi për media i Kremlinit në një deklaratë të publikuar në uebfaqjen presidenciale.
Putin dhe Merkel gjithashtu do të "diskutojnë çështje të ngutshme në axhendën ndërkombëtare, përfshirë situatën në Siri dhe Libi" gjatë takimit të tyre, i cili gjithashtu do të trajtojë zgjidhjen e problemit të Ukrainës, shtohet në deklaratë.
Ndërkohë, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se kreu i saj Sergey Shoygu diskutoi situatën në Lindjen e Mesme në biseda të veçanta telefonike me kreun e Agjencisë Turke të Inteligjencës, Hakan Fidan dhe Mohammad Bagheri, shefin e Forcave të Armatosura të Iranit.
"Gjatë bisedës (me Fidan), palët diskutuan situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si dhe veprimet e mundshme të përbashkëta për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur situatat e krizës në rajon", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Në lidhje me bisedën telefonike me Bagherin, në deklaratë thuhet se "shefat ushtarakë diskutuan hapa praktikë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në Republikën Arabe të Sirisë dhe rajonin e Lindjes së Mesme në lidhje me vrasjen e komandantit të Forcave Kuds, Gjeneral Qassem Soleimani në Irak".
Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Jashtme tha se Rusia mbetet e përkushtuar në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 me gjashtë fuqitë e mëdha, pavarësisht njoftimit të Teheranit për tërheqjen e saj nga marrëveshja.
"Sfidat me të cilat bashkësia ndërkombëtare duhet të ballafaqohet në zbatimin e marrëveshjeve gjithëpërfshirëse kërkojnë vullnet politik dhe një reagim të fortë kolektiv, veçanërisht nga pjesëmarrësit kryesorë në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Aksionit (JCPOA). Ne jemi të bindur se pas tejkalimit të këtyre sfidave, pala iraniane nuk do të ketë asnjë arsye të devijojë nga kërkesat e dakorduara. Ne i bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të mos devijojnë nga rruga e caktuar nga JCPOA dhe të krijojnë kushte për kthimin e saj në një rrugë të qëndrueshme", shtohet më tej.
Duke iu referuar pezullimit të përkohshëm të Teheranit në disa elementë të JCPOA-s, ministria pohoi se kundërshtimi i kufizimeve në lidhje me zhvillimin e teknologjisë dhe pasurimin e uraniumit nuk përbën ndonjë kërcënim të përhapjes bërthamore.
"Refuzimi i Teheranit nga kufizimet e JCPOA-s në zhvillimin e aftësive të tij dhe aftësive teknologjike në fushën e pasurimit të uraniumit nuk paraqet në vetvete ndonjë kërcënim nga pikëpamja e përhapjes bërthamore. Të gjitha veprimet e tij kryhen në bashkëpunim të ngushtë dhe nën mbikëqyrje e vazhdueshme e IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike)", thuhet në deklaratë.
Ministria gjithashtu theksoi se Irani mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me IAEA.