Sinan Doğan
14 Qershor 2023•Përditësim: 14 Qershor 2023
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen në kuadër të vizitës së saj në Amerikën Latine u takua me presidentin e Argjentinës, Alberto Fernandez, transmeton Anadolu.
Në takimin e mbajtur në Casa Rosada në kryeqytetin Buenos Aires, Von der Leyen dhe Fernandez diskutuan për marrëveshjen e tregtisë së lirë të Tregut të Përbashkët Jugor (MERCOSUR) dhe marrëdhëniet BE-Argjentinë.
Pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, Von der Leyen dhe Fernandez mbajtën konferencë të përbashkët për media. Von der Leyen vuri në dukje se beson që deri në fund të vitit do të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR.
"Duhet të përdorim dritaren e mundësisë që është hapur, duhet ta zgjidhim këtë deri në fund të vitit, përndryshe do të jetë fat i keq", shtoi Von der Leyen. Duke rikujtuar se ka përparim serioz në pjesën më të madhe të marrëveshjes, ajo tha se pret përgjigje për letrën që i ka dërguar MERCOSUR se si do të arrihen "zgjidhjet dakorduese" për problemet që e presin BE-në mes dy blloqeve.
"Në fakt qëllimi im është të tregoj çdo përpjekje të mundshme për të përfunduar marrëveshjen në kohën më të shpejtë të mundshme. Ne kemi një dritare mundësie për ta finalizuar këtë marrëveshje", deklaroi Von der Leyen, duke shtuar se dëshirojnë që marrëveshja e tregtisë së lirë të zgjidhet sa më parë.
Duke bërë të ditur se janë të vetëdijshëm mbi rëndësinë e marrëveshjes BE-MERCOSUR për evropianët, Von der Leyen tha se kanë vepruar me qasjen "fito-fito".
Presidentja e KE-së rikujtoi se marrëveshja e tregtisë është miratuar pas një negocimi 20 vjeçar dhe se nga vendet MERCOSUR presin garanci mjedisore në çështjen e shpyllëzimit dhe ndryshimit të klimës.
"Duam të arrijmë marrëveshjen më të mirë mes MERCOSUR dhe BE-së"
Fernandez në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter theksoi rëndësinë e marrëveshjes mes palëve. "Duam të arrijmë marrëveshjen më të mirë mes MERCOSUR dhe BE-së. Marrëveshja siguron dobi reciproke dhe të drejtë mes MERCOSUR dhe BE-së. Ofrojmë marrëveshje konkrete që u jep fund asimetrive mes dy ekonomive dhe që mbron zhvillimin tonë", tha ai.
Ai tërhoqi vëmendjen se Evropa është partner i jashtëzakonshëm dhe investitori më i madh i huaj në vend. "Në këtë kuptim, sot nënshkruam 'Memorandumin Strategjik të Mirëkuptimit lidhur me Zinxhirët e Vlerës së Qëndrueshme në Lëndët e para'", tha presidenti argjentinas.
Von der Leyen, dje u takua në pallatin Planalto në Brasilia me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.