Presidenti Erdogan dënon vrasjet e civilëve në El-Fasher të Sudanit
"Askush që mban zemër në gjoks, jo gur, nuk mund të pranojë masakrat kundër civilëve në El-Fasher të Sudanit në ditët e fundit. Ne nuk mund të heshtim për këtë", tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan
Istanbul
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi masakrat në El-Fasher të Sudanit, duke thënë se integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit afrikan duhet të mbrohen, raporton Anadolu.
"Askush që mban zemër në gjoks, jo gur, nuk mund të pranojë masakrat kundër civilëve në El-Fasher të Sudanit në ditët e fundit. Ne nuk mund të heshtim për këtë", tha Erdogan në fjalën e tij hapëse në sesionin e 41-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në Stamboll.
Ai nënvizoi se integriteti territorial, sovraniteti dhe pavarësia e Sudanit duhet të mbrohen dhe është e rëndësishme të qëndrojmë pranë popullit sudanez.
Duke folur për luftën në Gaza, udhëheqësi turk theksoi se grupi palestinez Hamas duket se është mjaft i vendosur të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa Izraeli ka një rekord shumë të keq.
Izraeli ka vrarë mbi 200 njerëz të pafajshëm që nga marrëveshja e armëpushimit në Gaza dhe nuk e ka ndaluar pushtimin dhe sulmet në Bregun Perëndimor, tha ai.
"Nuk mund të lejojmë përpjekje për të aneksuar Bregun Perëndimor, për të ndryshuar statusin e Kudsit ose për të dëmtuar shenjtërinë e Xhamisë Al-Aksa", tha Erdogan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
             