Zehra Ulucak
03 Prill 2018•Përditësim: 03 Prill 2018
ANKARA (AA) - Popullata e shtetit ishullor të Fixhit është duke luftuar për mbijetesë për shkak të ciklonëve vdekjeprurëse të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, ka thënë kryeministri i këtij vendi Frank Bainimarama, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në BBC, kryeministri Bainimarama citohet të ketë paralajmëruar se Fixhi ka hyrë në një "periudhë të frikshme" të kushteve ekstreme atmosferike pas ciklonit Josie që përfshiu vendin gjatë fundjavës.
"Aktualisht jemi pothuajse nën një rrezik të qëndrueshëm për shkak të zhvillimeve ekstreme atmosferike", ka thënë Bainimarama, duke shtuar se ciklonët e fuqishëm në rajon janë bërë edhe më të rrezikshëm si rezultat i ndryshimeve klimatike.
"Duhet t'i japim një mesazh të qartë dhe me zë të lartë tërë botës për t'u përballur me këtë krizë drejtpërdrejt. Popullata jonë është duke luftuar për mbijetesë për shkak të ciklonëve vdekjeprurës të shkaktuara nga ndryshimet klimatike", ka shtuar ai.
Sipas të dhënave paraprake katër persona humbën jetën si rezultat i ngritjes së nivelit të ujit të shkaktuar nga cikloni Josie i kategorisë së parë që përfshiu ishullin Viti Levu të Fixhit në fundjavë.
Ndëkaq, 44 persona humbën jetën dhe dhjetra mijëra mbetën pa kulm mbi kokë si pasojë e ciklonit Winston i cili goditi Fixhin në vitin 2016 me shpejtësi prej 325 kilometrash në orë.
Kryeministri Bainimarama pati aktualizuar paralajmërimet rreth ndryshimeve klimatike dhe katastrofat me të cilat përballet vendi i tij në Konferencën për Klimën të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në nëntor në Bonn të Gjermanisë.
Shkencëtarët thonë se është shtuar shpeshtësia e ngjarjeve negative atmosferike si rezultat i ndryshimeve klimatike.