Ayşe Aktaş
19 Shkurt 2017•Përditësim: 20 Shkurt 2017
KAMPALA (AA) – Gjatë kontrollit të një shtëpie në periferi të kryeqytetit të Ugandës, Kampala, policia konfiskoi një ton fildish, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Drejtorisë për mbrojtjen e kafshëve të egra në Ugandë, Gessa Simplicious, njoftoi se policia në bazë të informacioneve të inteligjencës disa javë ka ndjekur një grup personash të dyshuar për trafikim të fildishit, ndërsa dje kreu bastisje në një objekt në periferi të Kampala-s.
Gjatë operacionit janë arrestuar tre persona të dyshuar, në mesin e të cilëve është një shtetas i Liberisë dhe dy shtetas të Guinea Bissau.
Simplicious tha se rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se fildishi është kontrabanduar nga Tanzania ose Kongo në Ugandë. “Jemi të kënaqur nga operacioni policor meqë në këtë mënyrë është dërguar porosia se Uganda nuk mund të jetë vend transitor për trafikuesit e fildishit”, tha Simplicious.
Para gjysmë shekulli në Afrikë kanë qenë më shumë se 1.3 milionë elefantë, ndërsa sot vlerësohet se në këtë kontinent jetojnë gjithsej gjysmë milioni. Ekspertët paralajmërojnë se trafikimi i fildishit është një nga kërcënimet më të mëdha për mbijetesën e këtij lloji.