Islam Uddin
29 janar 2021•Përditësim: 29 janar 2021
Pakistani të enjten hodhi poshtë pretendimin e New Delhit se Islamabadi dhe Pekini mbështesin protestat e vazhdueshme nga fermerët në Indi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë javore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Zahid Hafeez Chaudhri tha se akuzat "e pabazuara dhe të papërgjegjshme" janë vazhdim i taktikës së Indisë për të fajësuar të tjerët për "dështimet e saj të brendshme".
"Një deklaratë e tillë e pabazë dhe e papërgjegjshme nga ministri indian pasqyron mendimin e vërtetë të qeverisë së BJP (Partisë Bharatiya Janata), e cila e sheh të përshtatshme të fajësojë fqinjët e Indisë për të gjitha dështimet e saj të brendshme".
Ai tha se veprimet e New Delhit kundër pakicave kanë "ekspozuar plotësisht të ashtuquajturën demokracinë më të madhe në botë".
“Ne vazhdimisht kemi thënë se India nuk është një demokraci por një regjim ekstremist i Hindutva-s. Veprimet e qeverisë së BJP-së kundër pakicave kanë zbuluar fytyrën e vërtetë të Indisë në botë", tha Chaudhri.
Duke theksuar se pakicat në Indi "po e shohin veten gjithnjë e më të pasigurt", ai përsëriti qëndrimin e Pakistanit se mendimi i përhapur në New Delhi "nuk është vetëm i rrezikshëm për pakicat indiane, por gjithashtu rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale".
Mijëra fermerë që nga nëntori kanë protestuar në periferi të kryeqytetit të Indisë, New Delhi kundër 3 ligjeve që qeveria pretendon se kanë për qëllim liberalizimin e sektorit të bujqësisë.
Protestuesit thonë se rregullat e reja do të kërcënojnë jetesën e tyre dhe do t'i lënë në mëshirën e korporatave të mëdha.
Tensionet janë rritur që nga dhuna e kësaj jave, me të paktën një person të vrarë dhe plagosjen e shumë të tjerëve, derisa fermerët u përplasën me policinë në Kështjellën e Kuqe historike në Ditën e Republikës së Indisë, përvjetorin e vendit që zyrtarisht miratoi Kushtetutën e tij më 26 janar të vitit 1950.