Bota

Pakistani konfirmon shkëmbimin e mesazheve midis SHBA-së dhe Iranit

"Bisedimet indirekte SHBA-Iran po zhvillohen përmes mesazheve që transmetohen nga Pakistani", tha kryediplomati pakistanez, Ishaq Dar

Riyaz Khaliq Khaliq  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Pakistani konfirmon shkëmbimin e mesazheve midis SHBA-së dhe Iranit

Stamboll

Pakistani konfirmoi sot rolin e tij të drejtpërdrejtë në transmetimin e mesazheve midis SHBA-së dhe Iranit drejt përfundimit të luftës në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

"Ka patur spekulime të panevojshme në media në lidhje me bisedimet e paqes për t'i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme", tha ministri i Jashtëm pakistanez, Ishaq Dar në kompaninë amerikane të mediave sociale X.

"Në realitet, bisedimet indirekte SHBA-Iran po zhvillohen përmes mesazheve që transmetohen nga Pakistani", tha Dar, duke konfirmuar se SHBA-ja ka ndarë 15 pika të cilat po diskutohen nga Irani.

Deklarata erdhi ndërsa burime në Islamabad thanë për Agjencinë Anadolu se kjo javë është vendimtare në çdo përparim të mundshëm në bisedimet midis Washingtonit dhe Teheranit.

Burimet thanë se Islamabadi pret një delegacion amerikan, por tha se Teherani ende është i kujdesshëm për shkak të mosbesimit. Dar vlerëson rolin e Turqisë dhe Egjiptit, të cilat po i japin mbështetje kësaj iniciative.

"Pakistani mbetet plotësisht i përkushtuar për të promovuar paqen dhe vazhdon të bëjë çdo përpjekje për të siguruar stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë përpara!", tha Dar.

I gjithë rajoni është në alarm që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë ish-liderin suprem Ali Khamenei.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.