Mehmet Yılmaz
13 janar 2017•Përditësim: 13 janar 2017
BUDAPEST (AA) – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të enjten deklaroi se migrantëve dhe refugjatëve nuk duhet t’u lejohet hyrja në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
“I kuptojmë këta njerëz, por nuk mund të plotësojmë dëshirat e tyre, prandaj nuk duhet lejuar hyrja në Evropë”, theksoi Orban gjatë ceremonisë në të cilën u prezantuan ekipet e reja të sigurisë që do të monitorojnë situatën në kufijtë hungarezë.
“As vitet e ardhshme trysnia në kufijtë e Hungarisë sigurisht nuk do të ndalet. Prandaj periudhën e ardhshme mbrojtja e kufijve do të jetë me rëndësi të madhe në aspektin e sigurisë nacionale. Jashtë vendit, konkretisht nga Brukseli, as në të ardhmen nuk mund të presim zgjidhje të caktuar. Për këtë shkak duhet vet të mbrohemi”, tha Orban.
Ai theksoi se shumë njerëz janë bërë viktima të refugjatëve, trafikantë refugjatësh dhe politikanë që i pranojnë në tokën evropiane.
“Askund në botë të drejtat e njeriut nuk guxojnë të shkaktojnë vetëvrasje nacionale. Së bashku me migrantët ilegal arrijnë edhe terroristët. Për këtë shkak në disa vende evropiane humbën jetën njerëz të pafajshëm të cilët dobësinë e qeverive të tyre në fund e paguan me jetën e tyre”, tha Orban. Në fund ai përmendi se ende nuk ka përfunduar kriza e refugjatëve në Evropë, duke shtuar se Hungaria edhe periudhën e ardhshme do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj.