Betül Yürük
09 gusht 2022•Përditësim: 09 gusht 2022
Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar se grupi terrorist DEASH ka “rritur ndjeshëm” përdorimin e sistemeve ajrore pa pilot ose dronëve gjatë vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefi i zyrës së OKB-së për luftën kundër terrorizmit, Vladimir Voronko, tha para Këshillit të Sigurimit se pavarësisht humbjes territoriale dhe humbjeve të mëvonshme të lidershipit, DEASH vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Grupi gjatë vitit të kaluar gjithashtu ka rritur ndjeshëm përdorimin e sistemeve ajrore pa pilot, duke përfshirë raportimet në Irakun verior. DEASH ka arritur ta bëjë këtë pjesërisht duke përdorur një strukturë të brendshme kryesisht të decentralizuar”, tha Voronko.
Ai shtoi se grupi terrorist DEASH vepron jo vetëm në Irak dhe Siri, por edhe në Afganistan, Somali dhe pellgun e liqenit Çad.
DEASH akoma menaxhon mes 25 dhe 50 milionë dollarë
Sipas raportit të fundit të OKB-së, rreth 10 mijë luftëtarë të DEASH-it vlerësohet se veprojnë përgjatë kufirit midis Irakut dhe Sirisë, ndërsa udhëheqja e grupit akoma menaxhon 25 deri në 50 milionë dollarë asete.