Fatih Erel
10 Janar 2017•Përditësim: 11 Janar 2017
GJENEVË (AA) – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se nga 17 tetori i vitit të kaluar, ditën kur filloi operacioni për çlirimin e Mosulit nga organizata terroriste DEASH, janë shpërngulur 135.500 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nga 29 dhjetori është përforcuar operacioni në Mosul. Vetëm në një ditë, më 2 janar janë shpërngulur 4.000 persona. Ky është numri më i madh në bazë ditore qëkur filloi operacioni i çlirimit”, deklaroi zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinim të Punëve Humanitare, Jens Laerke në Gjenevë.
Sipas tij, shumica e të shpërngulurve janë nisur drejt kampeve që ndodhen në jug dhe lindje të Mosulit. Sipas fjalëve të tij në operacionet janë shpërngulur 135.500 civilë.
Operacioni për çlirimin e qytetit irakian Mosul nga pjesëtarët e organizatës terroriste DEASH filloi më 17 tetor të vitit 2016.