Dilara Hamit
02 Gusht 2019•Përditësim: 03 Gusht 2019
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dje ka zhvilluar një takim të Këshillit të Sigurimit pas lëshimit të fundit të raketave nga Koreja e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i kërkuan Phenianit të zhvillojë bisedime kuptimplote me SHBA-të mbi programet e saj të raketave bërthamore dhe balistike.
“Sanksionet ndërkombëtare duhet të qëndrojnë në fuqi dhe të zbatohen plotësisht derisa programet e raketave bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut të shpërbëhen”, tha e dërguara britanike në OKB, Karen Pierce.
Pierce theksoi se “thelbësore” është që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të tregojë unitet në mbrojtjen e rezolutave.
Raketat e Koresë së Veriut u lëshuan nga e njëjta zonë lindore si ato të fundit, ajo e ditës së mërkurë dhe e ditës së enjte para kësaj të fundit.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut po ashtu paralajmëruan se lançimet e saj të fundit ishin një paralajmërim për Korenë e Jugut në prag të stërvitjeve ushtarake të planifikuara të këtij muaji me SHBA-të.
SHBA ka minimizuar rëndësinë e raketave me rreze të shkurtër të Phenianit, por kësaj të fundit i është ndaluar testimi i raketave balistike me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.