Ekip
02 Gusht 2019•Përditësim: 03 Gusht 2019
Qeveria e Britanisë së Madhe të enjten ka refuzuar shkëmbimin e tankerit të konfiskuar iranian në Gjibraltar me tankerin britanik të konfiskuar nga Irani në Gjirin Persik, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se qeveria e tij nuk do të bisedojë me një shtet që nuk u përmbahet ligjeve ndërkombëtare dhe nuk do t'i lejojë Iranit që t'u shmanget kritikave ndërkombëtare për veprimet joligjore.
"Ne nuk do të shkëmbejmë. Nëse personat apo shtetet kanë daluar anijet me flamur britanik në mënyrë joligjore atëherë sundimi i ligjit dhe sundimi i ligeve ndërkombëtare patjetër të zbatohet", tha Raab për "Sky News" gjatë një samiti në Tajlandë.
"Ne nuk do të shkëmbejmë anijen që u ndalua në mënyrë ligjore me një anije që u ndalua në mënyrë joligjore. Kjo nuk është mënyra se si Irani do të dalë nga situata", tha ai, duke shtuar se "kam frikë se ndonjë lloj shkëmbimi ose pazari nuk është në tavolinë".
Gjatë një interviste për "Sky News" të martën, ambasadori i Iranit në Londër, Hamid Baeidinijad tha se nëse Britania e Madhe lëshon tankerin Grace 1, atëherë Irani do të ishte më se i gatshëm të lëshojë tankerin Stena Impero që aktualisht është i ndaluar në portin iranian Bandar Abbasit.
Mirëpo, ai tha se incidentet në Mesdhe dhe në Gjirin Persik ishin dy çështje të ndara që duheshin zgjidhur veçmas.
"Kuptohet që njëra çështje mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes tjetër por këto janë dy çështje të ndara që duhet të zgjidhet veçmas", tha ai. "Ne duam të shohim Britaninë e Madhe që të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të liruar Grace 1 sa më shpejtë që është e mundur".
Baeidinijad përsëriti qëndrimin e qeverisë iraniane se pse forcat e saj kapën tankerin me flamur britanik, duke thënë se anija gjoja është përplasur me një varkë peshkimi, duke e dëmtuar atë dhe duke plagosur peshkatarët brenda.
Më 20 korrik, Stena Impero u kap nga trupat e Gardës Revolucionare Islamike. Sipas sekretarit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tankeri u rrethua nga katër anije dhe një helikopter dhe u ridrejtua për në ujërat iraniane. Megjithëse anija është në pronësi britanike, asnjë nga 23 anëtarët e ekuipazhit nuk është britanik.
Një anije e dytë, Mesdar, e cila është me flamur liberian, por e menaxhuar nga një kompani britanike, u rrethuar nga 10 anije të shpejta, besohet se është shoqëruar për në ujërat iraniane. Por sekretari i Jashtëm britanik tha se vendndodhja e anijes është e paqartë.
Më 13 korrik, një anije luftarake britanike parandaloi tre anije të marinës iraniane që pengonin rrugën e një tankeri britanik që dilte nga Gjiri Persik. Qeveria akuzoi Iranin për shkelje të ligjit ndërkombëtar pasi tankeri nuk ishte në ujërat e Iranit.
Për më tepër, Britania e Madhe dërgoi anijen e dytë luftarake në Gjirin Persik për të mbështetur forcat britanike në garantimin e sigurisë së anijeve tregtare britanike.
Marina Mbretërore ndaloi tankerin iranian të naftës që ishte nisur për në Siri më 4 korrik në Gjibraltar, duke ia ndaluar hyrjen në Detin Mesdhe.
Irani ka kërkuar lirimin e ekuipazhit dhe anijes së tij, duke akuzuar flotën mbretërore për pirateri dhe ka kërcënuar Londrën me masa hakmarrëse, retorikë e cila po rrit tensionet mes dy vendeve në një rajon tashmë të provokuar me luftë.