Canberk Yüksel
26 Shtator 2017•Përditësim: 26 Shtator 2017
NEW YORK (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të hënën mbrëma deklaroi se janë të shqetësuar për "efektet potencialisht destabilizuese" të referendumit antikushtetues të mbajtur nga Administrata rajonale kurde në veri të Irakut (IKBY) në kundërshtim me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Gutteres "respekton integritetin territorial dhe unitetin e Irakut", si dhe porosit që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen "me dialog dhe kompromis konstruktiv", theksoi zëdhënësi i tij Stephane Dujarric.
Gutteres gjithashtu pret që aktivitetet e autorizuara të OKB-së në Irak do të vazhdojnë normalisht.
SHBA-të, Turqia, Britania e Madhe, Irani dhe qeveria qendrore irakiane i kanë bërë thirrje Erbilit të anulojë referendumin antikushtetues, por megjithatë ai u mbajt të hënën.
Irakianët në zonat e kontrolluara nga IKBY dhe në pjesën tjetër të territorit që është subjekt i mosmarrëveshjes midis Erbilit dhe Bagdadit votuan nëse do të mbesin, apo do të ndahen nga Iraku.
Më parë të hënën, Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi se Turqia do të ndërmarrë hapa politik, ekonomik, tregtar dhe të sigurisë kundër IKBY-së.
Qeveria qendrore e Irakut ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse referendumi do të çojë në dhunë.
Megjithatë, Mesut Barzani, kreu i IKBY-së, tha se "Po"-ja në referendum nuk do të çojë në shpalljen automatike të pavarësisë, por do të çojë në negociata të mëtejshme me Bagdadin.
Gjykata Federale e Irakut më parë e shpalli vendimin e referendumit si antikushtetues dhe urdhëroi anulimin e mbajtjes së tij.