Betül Yürük
07 mars 2017•Përditësim: 07 mars 2017
OKB (AA) - Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar testimin e raketave balistike nga Koreja e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antionio Gutterres, përmes një deklarate me shkrim është shprehur se "Aktivitetet e këtilla shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dëmtojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit".
Duke dënuar testimin e raketave balistike të Koresë së Veriut, Guterres i ka bërë thirrje qeverisë së vendit që të tërhiqet nga provokimet e mëtejshme dhe të respektojë dispozitat ndërkombëtare.
Ndryshe, menjëherë pas testimit të katër raketave balistike nga Koreja e Veriut, SHBA-të dhe Japonia i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mblidhet urgjentisht.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i përhershëm i Koresë së Veriut në OKB, Ja Song Nam, në letrën e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit kishte paralajmëruar se "ka ardhur në prag lufta nukleare" dhe se stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-ve dhe Koresë së Jugut mund ta çojnë drejt një "katastrofe bërthamore" Gadishullin Korean dhe Azinë Verilindore.
OKB ndalon që Koreja e Veriut të realizojë testime raketore për shkak të aktiviteteve të saj bërthamore, teksa që nga viti 2006 zbaton sanksione ndaj këtij vendi.