Fatih Erel
08 Gusht 2017•Përditësim: 08 Gusht 2017
GJENEVË (AA) - Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjet humanitare në Irak, Lise Grande tha se do të ndërmerren edhe tre operacione ushtarake në rajonet nën kontrollin e organizatës terroriste DEASH dhe si rezultat i kësaj qindra mijëra civilë do të zhvendosen nga vendet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Grande në një konferencë për media të mbajtur në Zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se pas Mosulit pritet të ndërmerren edhe tre operacione të mëdha ushtarake në Telafer, Hawija dhe Anbar.
"Parashikohet se si rezultat i këtyre operacioneve ushtarake në Irak nga vendet e tyre do të zhvendosen edhe qindra mijëra civilë", tha Grande.
Duke bërë të ditur se që nga viti 2014 kur DEASH-i rriti ndikimin e tij janë zhvendosur 5.3 milionë civilë, Grande ka theksuar se ky problem vazhdon për 3.3 milionë persona pavarësisht se ka nga ata që janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Ajo bëri të ditur se gjatë operacioneve ushtarake në Mosul kanë qenë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre 955 mijë persona dhe se pas atyre që janë kthyer ende 710 mijë persona jetojnë si të shpërngulur.
Si rezultat i operacioneve ushtarake të cilat zgjatën afërsisht për 9 muaj, më 10 korrik u shpall çlirimi i Mosulit nga organizata terroriste DEASH.