Beyza Binnur Dönmez
25 Tetor 2023•Përditësim: 25 Tetor 2023
Agjencia e OKB-së për refugjatët njoftoi sot se deri në fund të shtatorit, numri i njerëzve të zhvendosur në mbarë botën, të shtyrë nga lufta dhe dhuna, arriti në 114 milionë, raporton Anadolu.
"Shtytëse kryesore të zhvendosjes së detyruar në gjysmën e parë të 2023 ishin: lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe Mianmar; kombinim i thatësirës, përmbytjeve dhe pasigurisë në Somali dhe kriza e zgjatur humanitare në Afganistan", thuhet në deklaratën e UNHCR, duke cituar raportin e saj gjysëm vjetor.
Duke vënë në dukje se fokusi i botës tani është në "katastrofën humanitare" në Gaza, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi tha: "Por, globalisht, shumë konflikte po shtohen ose përshkallëzohen, duke shkatërruar jetë të pafajshme dhe duke nxjerr njerëzit nga shtëpitë e tyre".
"Paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur konfliktet ose për të parandaluar të rejat po nxit zhvendosje dhe mjerim", theksoi Grandi, duke nënvizuar nevojën për të punuar së bashku për t'u dhënë fund konflikteve dhe për të lejuar refugjatët dhe njerëzit e tjerë të zhvendosur të kthehen në shtëpi ose të rifillojnë jetën e tyre.
Sipas UNHCR-së, 110 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën deri në fund të qershorit, një rritje prej 1.6 milionë nga fundi i vitit 2022.
Raporti zbuloi se mbi gjysma e të gjithë njerëzve që janë detyruar të ikin "nuk e kalojnë kurrë" një kufi ndërkombëtar. Vetëm në tre muajt nga qershori deri në fund të shtatorit, UNHCR vlerësoi se numri i të zhvendosurve me forcë u rrit me 4 milionë, duke e çuar totalin në 114 milionë.
"Ndërsa shohim ngjarjet në Gaza, Sudan dhe më gjerë, perspektiva e paqes dhe zgjidhjeve për refugjatët dhe popullatat e tjera të zhvendosura mund të duket e largët. Por, ne nuk mund të dorëzohemi. Me partnerët tanë, do të vazhdojmë të mbështesim dhe të gjejmë zgjidhje për refugjatët", tha Grandi.
Nga refugjatët dhe personat e tjerë që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, 75 për qind janë pritur nga vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, thuhet në raport. Në gjashtë muajt e parë, 1.6 milionë kërkesa individuale për azil u depozituan globalisht, më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Ndërsa jo të gjithë ishin në rrethana të sigurta, mbi 404 mijë refugjatë u kthyen, më shumë se dyfishi më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Pothuajse 2.7 milionë individë të zhvendosur brenda vendit u kthyen në shtëpitë e tyre gjatë së njëjtës periudhë, duke tejkaluar dyfishin e numrit të kthimeve në gjysmën e parë të 2022, tha ai. Rritje ka pasur edhe numri i refugjatëve të zhvendosur.
Konflikti në Lindjen e Mesme filloi më 7 tetor, i cili bie jashtë periudhës së raportimit dhe nuk përfshihet në analizën e tij të zhvendosjes njerëzore, thuhet në deklaratë.